ShBA-ja e thërret në takim ambasadorin kinez, proteston kundër veprimeve ushtarake
Shtetet e Bashkuara e thirrën në takim ambasadorin kinez në Shtëpinë e Bardhë për t’ia paraqitur protestën kundër veprimeve që i cilësuan të papërgjegjshme e në kundërshtim me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit, tha të premten zëdhënësi për siguri kombëtare, John Kirby.
Shtëpia e Bardhë e thirri në takim ambasadorin Qin Gang të enjten, sipas njoftimit zyrtar. Shtetet e Bashkuara i dënoi veprimet e Kinës, të cilat i cilësoi të papërgjegjshme. “Ne gjithashtu bëmë të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për atë që Pekini zgjedh për ta bërë. Ne nuk do të kërkojmë dhe nuk dëshirojmë krizë”, tha Kirby.
“Në të njëjtën kohë, ne nuk do të frenohemi nga operimi në detet dhe qiejt e Paqësorit Perëndimor, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, siç kemi bërë me dekada – duke e përkrahur Tajvanin dhe duke mbrojtur një Indo-Paqësor të lirë e të hapur”, shtoi ai.