ShBA-ja do t’ia paraqesë edhe Rusisë propozimin për armëpushim 30-ditor me Ukrainën - NACIONALE

ShBA-ja do t’ia paraqesë edhe Rusisë propozimin për armëpushim 30-ditor me Ukrainën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha se shpreson që Rusia do të pranojë një propozim të vendit të tij për armëpushim të menjëhershëm 30-ditor me Ukrainën, pasi Kievi tha se është i gatshëm për ta pranuar atë.

Kryediplomati amerikan tha se do t’ia paraqesë edhe Rusisë ofertën dhe se “topi është në fushën e tyre”. Moska ende nuk e ka komentuar publikisht çështjen, raporton televizioni BBC.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se u përket Shteteve të Bashkuara që ta bindin Rusinë për t’u pajtuar me propozimin “pozitiv”.

Bisedimet e së martës në Arabinë Saudite ishin takimi i parë zyrtar mes ShBA-së e Ukrainës që nga përplasja e jashtëzakonshme mes presidentëve Donald Trump e Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale më 28 shkurt.

Në një deklaratë të përbashkët, ShBA-ja gjithashtu tha se do t’i fillojë menjëherë ndarjen e të dhënave të inteligjencës dhe asistencën e sigurisë për Ukrainën, të cilat Uashingtoni i kishte pezulluar pas grindjes së pashembullt publike mes dy udhëheqësve në Shtëpinë e Bardhë.

“Të dyja delegacionet u pajtuan për emërimin e ekipeve të tyre negociuese dhe për fillimin e menjëhershëm të bisedimeve drejt një paqeje të qëndrueshme që ofron siguri afatgjate për Ukrainën” – thuhet në deklaratën e përbashkët ShBA – Ukrainë.

Sipas Rubios, Ukraina është “e gatshme për t’i ndërprerë të shtënat e për t’i filluar bisedimet”, e nëse Rusia e refuzon ofertën, “atëherë ne fatkeqësisht do të dimë se cila është pengesa ndaj paqes këtu”.

“Sot, ne bëmë një ofertë që ukrainasit e kanë pranuar, e cila është për hyrje në një armëpushim dhe në bisedime të menjëhershme” – tha zyrtari i lartë i Trumpit./Nacionale

Lajme të ngjashme