ShBA-ja do t’ia kthejë Venezuelës anijen e sekuestruar “Sophia”
Shtetet e Bashkuara do t’ia kthejnë Venezuelës anijen “Sophia” që ia kishin sekuestruar muajin e kaluar, i thanë të mërkurën agjencisë së lajmeve “Reuters” dy zyrtarë amerikanë.
Ky është rasti i parë i njohur që administrata e presidentit Donald Trump do të kthejë një anije transportuese të naftës, raporton kjo agjenci.
Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar përpjekje disamujore për të sekuestruar anije transportuese të naftës që janë të lidhura me Venezuelën dhe nga viti i kaluar kanë kapur shtatë të tilla.
Roja Bregdetare e ShBA-së, e cila i udhëheq operacionet e ndalimit dhe sekuestrimit, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Anija ishte ndaluar më 6 janar nga Roja Bregdetare dhe forcat ushtarake amerikane. Ajo ishte nën sanksione.