ShBA-ja dhe Ukraina e nënshkruajnë marrëveshjen e shumëpritur për mineralet e rralla - NACIONALE

ShBA-ja dhe Ukraina e nënshkruajnë marrëveshjen e shumëpritur për mineralet e rralla

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar me Ukrainën një marrëveshje për shfrytëzimin e përbashkët të burimeve energjetike dhe minerare në territorin ukrainas, pas disa muajve me bisedime të tensionuara.

Dy vendet janë pajtuar që të themelojnë një fond investimesh për rindërtim që të nxitet rimëkëmbja ekonomike e Ukrainës nga lufta e saj me Rusinë, raporton televizioni BBC.

Sekretari i Thesarit i Shteteve të Bashkuara, Scott Bessent, tha se ky pakt dëshmon se të dyja palët janë të përkushtuara për paqe të qëndrueshme dhe mirëqenie në Ukrainë. Për Kievin, marrëveshja shihet si hap thelbësor drejt sigurimit të qasjes në ndihmat amerikane.

Besohet se Ukraina ka rezerva të mëdha të mineraleve kritike si grafiti, titani dhe litiumi. Këto kërkohen shumë për shkak të përdorimit të tyre në energjinë e ripërtëritshme, zbatimet ushtarake dhe infrastrukturën industriale.

Marrëveshja vjen në kohën e luftës tregtare të Shteteve të Bashkuara me Kinën, ku ndodhen 90 për qind e rezervave botërore të mineraleve të rralla.

Në një video-deklaratë, sekretari Bessen tha se marrëveshja do të ndihmojë në “zhbllokimin e aseteve të rritjes të Ukrainës”.

Gjuha e njoftimit shfaq shumë më shumë solidaritet me Ukrainën sesa që është e zakonshme për administratën e Trumpit.

Ajo i referohet “pushtimit të plotë të Rusisë” dhe shtohet se “asnjë shtet ose person që e ka financuar ose furnizuar makinerinë ruse të luftës nuk do të lejohet që të përfitojë nga rindërtimi i Ukrainës”.

Kremlini ende nuk ka reaguar për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

Lajme të ngjashme