ShBA-ja, BE-ja dhe aleatët bëjnë thirrje për armëpushim trejavor në Liban - NACIONALE

ShBA-ja, BE-ja dhe aleatët bëjnë thirrje për armëpushim trejavor në Liban

1 vit më parë

nga NACIONALE

Disa aleatë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe, kanë bërë thirrje për një armëpushim të përkohshëm në Liban pas eskalimit të luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Blloku prej 12 vendesh propozoi pauzë 21-ditore të luftimeve “për të ofruar hapësirë për diplomacinë drejt përmbylljes së një zgjidhjeje diplomatike” dhe një armëpushimi në Gaza, raporton televizioni BBC.

Në një deklaratë të përbashkët, këto vende thanë se armiqësitë janë “të patolerueshme” dhe paraqesin “rrezik të papranueshëm për një eskalim më të gjerë rajonal” që nuk është në interesin e popujve të Izraelit dhe Libanit.

Thirrja për armëpushim të përkohshëm erdhi pasi komandanti i ushtrisë izraelite iu tha ushtarëve të mërkurën se sulmet e gjera ajrore në Liban, që në shënjestër i kanë qendrat e Hezbollahut, mund t’ua hapin rrugën atyre që “të hyjnë në territorin e armikut”.

Komentet e Gjeneral Lejtënant Halevit janë treguesi më i qartë deri më tani nga një figurë e lartë se pushtimi tokësor në Liban nga ushtria izraelite mund të jetë afër.

Deklarata e përbashkët e thirrjes për armëpushim u nënshkrua nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Kanadaja, Bashkimi Evropian, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Britania e Madhe dhe Katari.

Thirrja e tyre erdhi pas një takimi të udhëheqësve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.

Në një deklaratë tjetër të përbashkët të presidentëve të ShBA-së e Francës, Joe Biden e Emmanuel Macron, thuhet se është koha për një zgjidhe “që e garanton sigurinë për t’u mundësuar civilëve që të kthehen në shtëpitë e tyre”.

Lajme të ngjashme