ShBA godet tre cisterna iraniane pas sulmit të IRGC ndaj anijeve amerikane - NACIONALE

ShBA godet tre cisterna iraniane pas sulmit të IRGC ndaj anijeve amerikane

1 orë më parë

nga NACIONALE

Forcat amerikane kanë goditur të shtunën tre cisterna iraniane të naftës, pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit lëshoi raketa balistike ndaj dy anijeve të Marinës së Shteteve të Bashkuara, njoftoi Komanda Qendrore Amerikane.

Sipas CENTCOM-it, një nga cisternat u godit pranë brigjeve të ishullit Kharg, zonë strategjike që ndodhet pranë qendrës kryesore të eksportit të naftës së Iranit.

Komanda Qendrore e ShBA-së tha se sulmet amerikane u ndërmorën si përgjigje ndaj lëshimit të raketave balistike nga IRGC-ja në drejtim të dy anijeve të Marinës amerikane.

“Mesazhi për IRGC-në duhet të jetë i qartë: nëse qëlloni ndaj dy prej anijeve tona, ne do t’ju imponojmë një kosto edhe më të lartë ekonomike – duke nxjerrë jashtë funksionit tre prej anijeve tuaja”, deklaroi admirali Brad Cooper, kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së.

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim, e cituar nga Reuters, raportoi më herët se katër raketa amerikane kishin goditur një cisternë në zonën e ankorimit pranë ishullit Kharg.

CENTCOM njoftoi gjithashtu se asnjë pjesëtar i personelit amerikan nuk ishte lënduar gjatë sulmit iranian.

Lajme të ngjashme