SHBA e zhgënjyer me Kosovën, Abdixhiku: Nuk është lidhja që e kemi menduar ndonjëherë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pasi që Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shprehur e zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës.
Abdixhiu para qytetarëve të Dragashit ka thënë se kjo nuk është lidhja që e kanë menduar ndonjëherë me SHBA-të.
“Është tejet brengosës fakti që Qeveria e ShBA-ve shprehet e zhgënjyer dhe e shqetësuar nga veprimet e Qeverisë së Kosovës. Kjo s’është lidhja që e kemi menduar ndonjëherë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai tutje ka thënë se sjellja arrogante ndaj kërkesave të aleatëve dëmton interesat strategjike të vendit.
“Në kohë të zhvillimeve të ndjeshme politike, institucionet e vendit duhet t’i trajtojnë me ndjeshmëri të lartë rekomandimet dhe kërkesat e miqve tanë. Sjellja me arrogancë ndaj kërkesave të sinqerta të tyre, dëmton interesat strategjike të vendit. Siç na mëson e shkuara, këto marrëdhënie janë fundamentale për progresin tonë kolektiv; siç janë esenciale për pozicionimin tonë më të mirë në kohë të paqartësive globale”, ka thënë tutje Abdixhiku.
Kreu i LDK-së, ka njoftuar se me qytetarët Dragashit ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend; për Kosovën me aleatë - siç duhet të jetë përherë.
