Shatri ka një mesazh për Kurtin: Kur e di se ke rënë në këtë derexhe, ule pak kokën
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, e ka kritikuar VV-në për mosbashkëpunimin me partitë tjera.
Ai ka vlerësuar se VV-ja duhet të jetë më bashkëpunuese kur e di se në çfarë situate ndodhet aktualisht.
Gjatë një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, ai ka treguar se si duhet të sillet Albin Kurti dhe VV-ja.
“Tri partitë e mëdha opozitare i kanë 58 për qind të votave, këta 42 për qind. Kur e di se ke rënë në këtë derexhe, ule pak kokën, bëhu pak bashkëpunues, kuptoje se ky vend ka nevojë për institucione, ofro njerëzit mos i nënçmo me fjalë fyese”, është shprehur ai.
Sipas tij, ofertat e VV-së për partitë tjera nuk janë serioze.
“Zhagitja dhe procedurat që për mua kanë qenë tepër të panevojshme dhe njerëzit që kanë marrë mandatin për të qeverisur me këtë vend do të duhej të ishin më të përgjegjshëm. Kemi ardhur në një situatë ku nuk kemi buxhet, qeveria e ka miratuar një dokument. Partia në pushtet ka bërë oferta për marrëveshje koalicioni që nuk janë serioze. Edhe me mandatarin e parë nuk i kanë bërë askujt ofertë serioze për koalicion qeverisës. Oferta serioze në këto ditë bëhen me shkrim ku i ofrohen poste”, është shprehur Shatri.