Shangarepa e ndjeresë: Deputet Haki A**** provon dy herë që të mos gabojë në të shkruar, dështon
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, deputet Haki A****, ka bërë një postim në të cilin ka promovuar “politika të gjelbra”. Por, derisa ai ka numëruar perimet e kultivuara, ne po i numërojmë gabimet drejtshkrimore.
Janë vetëm tri fjali të shoqëruara me disa fotografi në postimin e z. A****, por gabimet drejtshkrimore janë të shumta.
Fjalën “gjelbër” ai ka dështuar ta shkruajë si duhet në dy raste: herën e parë e ka bërë “gjlebër”, ndërsa herën e dytë “gjelebër”.

Ai ka pasur problem që ta shkruajë si duhet edhe fjalën djersë, e të cilës ia ka shtuar dy shkronja duke e bërë “ndjeresë”.

Po ashtu, fjalën patëllxhan deputeti e ka bërë patëlxhan, ndoshta nga përpjekja për të qenë sa më korrekt që është e mundshme me dialektin jugor.
Për shkak të gabimeve, deputeti madje edhe e ka ‘edituar’ statusin por ka dështuar të identifikojë gabimet më të mëdha. Sidoqoftë, vërehet se në vend të fjalës karrota, ai më herët e kishte pasur të shkruar “shangarepa”.

Ndërkohë, mjaft interesante ishin edhe mbishkrimet e deputet Hakiut për fotografitë e shpërndara. Në njërën shkruan thjesht “lule” ndoshta duke mos e ditur emrin e plotë të luleshkurres (shrubby mallow).
Nuk dihet nëse deputeti ka paraqitur perimet e tij apo perimet e ndonjë të afërmi.
*Mbiemri i deputetit nuk përmendet për shkak të sjelljes jokorrekte ndaj gazetarit të Nacionales në një event në Ferizaj gjatë muajit maj.