Senati i ShBA-së e miraton projektligjin që mund ta sjellë ndalimin e TikTok-ut - NACIONALE

Senati i ShBA-së e miraton projektligjin që mund ta sjellë ndalimin e TikTok-ut

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një projektligj kundërthënës që mund ta sjellë ndalimin e aplikacionit të famshëm, TikTok, në territorin e këtij vendi.

Sipas këtij projektligji, pronares së TikTok-ut, kompanisë “ByteDance” nga Kina, i jepen nëntë muaj afat për t’i shitur aksionet e saj, në të kundërtën aplikacioni do të bllokohet në ShBA.

Projektligji tani do të kalojë në duart e presidentit Joe Biden, i cili ka thënë se do ta nënshkruajë, duke e shndërruar në ligj, porsa legjislacioni të arrijë në tavolinën e tij.

Kompania “ByteDance” i ka thënë BBC-së se nuk ka reagim të menjëhershëm ndaj këtij votimi. Sidoqoftë, kjo kompani në të kaluarën ka thënë se do të kundërshtonte çfarëdo përpjekjeje që do ta detyronte atë për ta shitur aplikacionin.

Nëse ShBA-ja arrin sukses për ta detyruar kompaninë “ByteDance” që ta shesë TikTok-un, çfarëdo marrëveshjeje prapëseprapë do të duhej të miratohej nga zyrtarë kinezë, por Pekini është zotuar se do të kundërshtojë çfarëdo mase të tillë. Analistët thonë se procesi mund të zgjasë me vite.

Kjo masë u miratua si pjesë e një pakoje me katër projektligje në të cilat përfshihet edhe ndihma ushtarake për Ukrainën, Izraelin, Tajvanin e për partnerët e ShBA-së në rajonin e Indo-Paqësorit.

Lajme të ngjashme