Selmanaj i LDK-së:”Byroja për konfiskimin e pasurisë shkelje kushtetuese në secilin nen”
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka kritikuar ashpër ministren e drejtësisë, Albulena Haxhiu, në lidhje me projektligjin e byrosë së konfiskimit të pasurisë së pajushtifikueshme, për të cilën po diskutohet në Kuvend.
Selmanaj ka thënë se ky projektligj, potencialisht shkelë kushtetutën e konventat ndërkombëtare në secilin nen të tij.
“Nuk e keni idenë as çka po krijojmë, ku jemi nis, cfarë po bëjmë? Ky është deformim i sistemit të drejtësisë që e kemi ndërtuar deri më sot. Druaj që në secilin nen, bëjmë shkelje të kushtetutës e të konventave ndërkombëtare. Nëse vazhdojmë kështu, nuk do të mund të anëtarësohemi në Këshill të Evropës dhe në asnjë organizatë serioze.”
Tutje Selmanaj ka kritikuar edhe mënyrën se si ministrja Haxhiu prezantoi para deputetëve opinionen e Komisionit të Venecias për të cilat Selmanaj tha se ministrja u duk sikur pol exon dokument tjetër nga ai i vërteti.
“Kur ministria Haxhiu po lexonte opinionet e venecias, unë pajtohesha vetëm me citimet, kurse në interpretim kisha përshtypje se po lexonim dy dokumente të ndryshme.” ka thënë Selmanaj.