Seanca për formimin e qeverisë, Osmani: Kam pasur shpresë se do të ftohet më herët
Presidentja Vjosa Osmani ka folur për seancën për formimin e qeverise së re.
Ajo ka bërë me dije se ishte optimiste që seanca ku do të votohej për mandatarin e dytë për kryeministër do të thirrej më herët.
Para gazetarëve, Osmani ka vlerësuar se ajo duhet të thirret në përputhje me Kushtetutën.
“Siç e dini, ftesa për seancë mund të bëhet edhe si seancë e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve, dhe jam e bindur që do të ftohet me kohë, në mënyrë që të respektohen afatet kushtetuese. Në anën tjetër, unë nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë rezultati i votimit. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda atij afati. Më pas është në duart e deputetëve dhe të partive politike se çfarë diskutojnë mes vete; këto janë procese në të cilat nuk kam ndërhyrë më herët dhe as tani”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, votimi është në dorën e deputetëve.
“Sa i përket ftesës për seancë, ai ka qenë optimizmi im — duket se të tjerët nuk e kanë pasur të njëjtin optimizëm. Unë kam pasur shpresë se do të ftohet më herët, bazuar në bisedat që kemi pasur. Sot është e hënë dhe e mërkura është data e fundit për seancë. Por, siç e thashë, u takon deputetëve të partive politike. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda afatit kushtetues, dhe përderisa është brenda atij afati, nuk ka asnjë shkelje”, është shprehur Osmani.