Së paku 53 palestinezë të vrarë nga vala e re e sulmeve izraelite në Gaza
Të paktën 53 palestinezë u vranë nga sulmet ajrore dhe zjarri i armëve të forcave izraelite në Gaza të enjten, përderisa Hamasi po e vazhdon shqyrtimin e përgjigjes ndaj planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës.
Ushtria izraelite kreu sulme në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës të enjten, përfshirë zonën al-Mawasi, e cila ishte shpallur e sigurt. Të paktën nëntë palestinezë u vranë atje, përfshirë një gjysh, katër bijtë e tij dhe një nip, kur ushtria izraelite sulmoi një dyqan ushqimor, raporton gazeta “The Guardian”.
Katër vëllezër e motra u vranë përderisa po mblidhnin dru për zjarr në kampin e refugjatëve “al-Bureij” në pjesën qendrore të Gazës. Nëntë njerëz të tjerë, shumica gra, vdiqën kur një sulm tjetër izraelit goditi një shtëpi në Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Gazës, sipas autoriteteve mjekësore.
Izraeli po e intensifikon pushtimin e Qytetit Gaza, duke lëshuar një paralajmërim të fundit për evakuim për banorët të mërkurën dhe duke ua mbyllur një rrugë që çon në pjesën veriore të Gazës atyre që jetojnë në jug.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se forcat izraelite ishin afër rrethimit të këtij qyteti dhe se cilido banor që qëndron atje do të konsiderohej “terrorist ose mbështetës i terrorit”.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se civilët duhet të mbrohen sipas së drejtës ndërkombëtare, pavarësisht se a qëndrojnë në shtëpitë e tyre apo largohen.
Trumpi e ka kërcënuar Hamasin se “do ta paguante ferrin”, nëse nuk e pranon planin e tij për paqe në Gaza. Sipas planit 20-pikësh, Hamasi duhet të çarmatoset, të largohet nga politika dhe të lirojë 48 pengje, më pak se gjysma e të cilave besohet se janë gjallë.
Në këmbim, Izraeli do të lironte rreth 2.000 të burgosur palestinezë dhe gradualisht do t’i tërhiqte trupat nga Gaza, porsa ato të zëvendësoheshin nga një forcë paqeruajtëse. Plani parasheh edhe shtim të ndihmave në Gaza si dhe rindërtimin e enklavës./Nacionale