Së paku 21 të vrarë nga sulmet ruse me raketa balistike e dronë në Ukrainë - NACIONALE

Së paku 21 të vrarë nga sulmet ruse me raketa balistike e dronë në Ukrainë

2 orë më parë

nga NACIONALE

Rusia e ka sulmuar Ukrainën me raketa balistike e dronë, duke vrarë të paktën 21 persona, përderisa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se raketat penguese “do të mund të shpëtonin jetë”.

Kievi dhe rajoni përreth tij i pësuan sulmet më vdekjeprurëse këtë vit gjatë natës së kaluar, me 17 viktima të raportuara. Një i vrarë u raportua në Kharkiv dhe tre të tjerë në Donetsk, raporton televizioni BBC.

Ukraina, e cila vazhdimisht u ka bërë thirrje aleatëve për më shumë raketa penguese amerikane të tipit “Patriot” për t’u mbrojtur kundër raketave balistike ruse, nuk raportoi se kishte penguarë ndonjërën nga raketat gjatë sulmit të mbrëmshëm.

Zelensky tha se vonesat në pranimin e sistemeve antibalistike nga vendet partnere çon në “viktima dhe shkatërrim të tmerrshëm”.

Presidenti më vonë tha se dërgesat me raketa penguese nga aleatët “janë pakësuar në masë domethënëse” këtë vit.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kishte goditur qendra të logjistikës dhe furnizimit në Kiev dhe në rajonin përreth kryeqytetit ukrainas.

Lajme të ngjashme