Së paku 20 të vdekur nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut në Brazil
Të paktën 20 njerëz kanë vdekur në shtetin juglindor brazilian, Minas Gerais, pasi shiu i dendur të hënën në mbrëmje shkaktoi vërshime dhe rrëshqitje dheu.
Shumica e viktimave u raportuan në qytetin Juiz de Fora, ku zyrtarët thanë se 15 njerëz e humbën jetën, ndërsa gjashtë vdekje të tjera u raportuan në Uba, sipas televizionit BBC.
Operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar. Punëtorët dhe banorët po kërkojnë dhjetëra njerëz të raportuar të zhdukur, pasi disa shtëpi e ndërtesa të tjera u shembën gjatë natës.
Presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, ua shprehu “ngushëllimet më të thella” familjeve të viktimave dhe atyre që i humbën shtëpitë. Ai gjithashtu tha se qeveria ka shpallur “gjendje katastrofe” në Juiz de Fora.
Rreth 440 njerëz kanë mbetur pa shtëpi ose janë zhvendosur vetëm në Juiz de Fora, ndërsa autoritetet lokale po ofrojnë strehim të përkohshëm dhe po kërkojnë donacione si uji, ushqimi, veshmbathjet dhe produktet higjienike.
Kryetarja e qytetit, Margarida Salomao, tha se kjo tragjedi është momenti “më pikëllues” në pesë vitet e saj në qeverisjen lokale dhe shpalli tri ditë zie në kujtim të të gjithë njerëzve në Juiz de Fora që e humbën jetën.