Së paku 100 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë në luftën e Ukrainës, sipas Jugut
Të paktën 100 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë gjatë luftimeve në luftën e Ukrainës që nga hyrja në luftime në anën e forcave ruse më herët këtë muaj, ka thënë një deputet i Koresë së Jugut.
Lee Sung-kwon, duke folur para gazetarëve pasi Kuvendi i Koresë së Jugut u njoftua për situatën nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës, tha se një mijë ushtarë të tjerë të Veriut janë lënduar, raporton televizioni BBC.
Sipas tij, në mesin e viktimave përfshihen zyrtarë të rangut të lartë dhe vrasja e plagosja e trupave mund të shpjegohet me mungesën e njohurisë për terrenin si dhe me luftën me dronë.
Të dhënën, një zëdhënës i Pentagonit të ShBA-së tha se trupa të Koresë së Veriut janë vrarë në luftë, por nuk dha ndonjë numër. Një ditë më pas, një zyrtar i paidentifikuar amerikan tha se ka “disa qindra” koreanoveriorë të vrarë ose të plagosur.
Mendohet se të vrarët dhe të plagosurit janë regjistruar në rajonin Kursk të Rusisë, ku trupat ukrainase janë duke mbrojtur një territor të vogël që e kanë kapur gjatë një sulmi të befasishëm në gusht.
Të shtunën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia kishte filluar që të përdorte një “numër domethënës” të koreanoveriorëve në sulmet e saj në Kursk.