Scholzi e Macroni, të përgatitur për të punuar me rebelët sirianë pas rrëzimit të Assadit
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, janë të përgatitur për të punuar me kushte të caktuara me grupet rebele siriane që e kanë rrëzuar nga pushteti presidentin Bashar al-Assad, thuhet në një deklaratë të Qeverisë së Gjermanisë pas një bisede telefonike mes dy udhëheqësve.
Udhëheqësit e dy ekonomive më të mëdha të Bashkimit Evropian e mirëpritën largimin e Assadit, i cili i ka shkaktuar “vuajtje të tmerrshme popullit sirian dhe dëm të madh vendit të tij”, tuhet në deklaratë. Assadi iku nga Damasku për në Moskë të dielën, duke e shënuar fundin e më shumë se gjysmë shekulli të pushtetit brutal nga familja e tij, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“[Scholzi dhe Macroni] u pajtuan që ata janë të përgatitur për të punuar së bashku me pushtetarët e rinj mbi bazën e të drejtave themelore të njeriut dhe mbrojtjen e pakicave etnike dhe fetare” – thuhet më tej në deklaratën e Qeverisë së Gjermanisë, që u publikua të hënën vonë.
Deklarata erdhi në kohën kur qeveritë e vendeve në pjesë të ndryshme të botës po mundohen që të ndërtojnë lidhje të reja me grupin rebel udhëheqës në Siri, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), grup që dikur ka qenë aleat i al-Qaedas dhe që cilësohet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Turqia dhe OKB-ja.
Scholzi dhe Macroni u pajtuan që të punojnë së bashku për ta fuqizuar angazhimin e BE-së në Siri, përfshirë mbështetjen për një proces politik gjithëpërfshirës në këtë vend, dhe do të diskutojnë për rrugën në vijim në bashkërendim të ngushtë me partnerët në Lindjen e Mesme, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Gjermanisë.