Sanksionet | Irani: Dënojmë vendimin, Tirana viktimë e SHBA
Sanksionet e shpallura nga Uashingtoni një ditë më parë kanë nxitur një përgjigje nga Teherani. Nasser Kanaani, zëdhënës i ministrisë së jashtme iraniane, denoncoi vendimin e Uashingtonit për të vendosur sanksione ndaj Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë Kombëtare të Teheranit për pjesëmarrje në sulmin kibernetik që goditi Shqipërinë korrikun e kaluar, si dhe pjesëmarrjen në aktivitetin kibernetik kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj.
“Mbështetja e menjëhershme e SHBA-së për akuzën false të qeverisë shqiptare kundër Republikës Islamike të Iranit dhe veprimet e shpejta të Uashingtonit për të sanksionuar Ministrinë e Inteligjencës të Iranit duke iu drejtuar të njëjtës akuzë false dhe të paprovuar tregon qartë se projektuesi i këtij skenari nuk është qeveria shqiptare por qeveria amerikane dhe Tirana është viktimë e skenarit të Uashingtonit kundër Republikës Islamike të Iranit”, është shprehur zëdhënësi, raporton Euronews.
Ai vazhdoi duke thënë se për vite me radhë, Shtetet e Bashkuara kishin detyruar qeverinë dhe popullin e Shqipërisë të mbështesin një organizatë terroriste që u kishte dhënë atyre trajnime dhe pajisje për luftën kibernetike.
“Strehimi i i grupit terrorist nga qeveria shqiptare dhe veprimi i qeverisë amerikane në mbështetje të atyre që janë përgjegjës për vrasjen e më shumë se 17 mijë shtetarëve dhe qytetarëve iranianë është një shembull i qartë për mbështetjen e organizuar të terroristëve kundër qeverisë dhe popullit të Iranit”. Republika Islamike e Iranit do të përdorë të gjitha aftësitë e saj brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar për të mbrojtur të drejtat e popullit iranian dhe për të mbrojtur veten kundër këtyre komploteve të liga” tha ai po ashtu.