Sadiku: Zhvillimet në LDK janë normale, situata është më emocionale dhe e vështirë për Abdixhikun - NACIONALE

Sadiku: Zhvillimet në LDK janë normale, situata është më emocionale dhe e vështirë për Abdixhikun

3 orë më parë

nga NACIONALE

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka deklaruar se zhvillimet e fundit brenda partisë duhet të shihen si pjesë e një procesi normal demokratik.

Në emisionin Rubikon, ai tha se debatet dhe pakënaqësitë brenda LDK-së duhet të adresohen në përputhje me statutin e partisë, duke theksuar se ato nuk do të kenë ndikim te qytetarët.

“Qytetarët e Kosovës nuk do të pësojnë sepse ky është proces i brendshëm i partisë. Nëse disa anëtarë, qofshin pakicë apo shumicë, nuk janë të kënaqur me lidershipin, atëherë sipas statutit të partisë thirret kuvendi dhe vazhdohet me procedurat e tjera. Në secilin vend normal dhe në secilën shoqëri normale, kjo që po ndodh në LDK do të duhej të shihej si diçka pozitive”, deklaroi Sadiku.

Ai shtoi se LDK-ja nuk i përket asnjë individi dhe se debatet e ndryshimet e brendshme janë pjesë e funksionimit të një force politike demokratike. Sadiku vlerësoi edhe kontributin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, gjatë viteve të fundit, duke thënë se është e kuptueshme që situata aktuale të jetë më e vështirë për të.

“LDK-ja nuk është pronë e askujt. Lumir Abdixhiku ka kontribuar shumë gjatë këtyre pesë viteve për LDK-në dhe ka dhënë gjithçka që ka pasur. Është normale që për të kjo situatë të jetë më emocionale dhe më e vështirë. Kjo që po ndodh në LDK është krejt normale për një parti demokratike siç është LDK-ja. Ndoshta nuk duket bukur për ata që kanë dashur që ne të dilnim fitues, por ky është një proces demokratik”, tha Sadiku.

Lajme të ngjashme