Sa aktiv ishte Arben Vitia në Qendrën e VV-së në Prishtinë derisa menaxhonte klinikën private? - NACIONALE

Sa aktiv ishte Arben Vitia në Qendrën e VV-së në Prishtinë derisa menaxhonte klinikën private?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje njihet për aktivizmin e zhurmshëm politik. Megjithatë, aktivisti Arben Vitia del të jetë kontrast i plotë i aktivistëve tjerë nëse marrim parasysh atë që pamë në rrjetet sociale të Internetit.

Vitia ka qenë përgjithësisht i heshtur që nga 14 nëntori i vitit 2021 kur i humbi zgjedhjet komunale ndaj Përparim Ramës së LDK-së. Por, prej asaj kohe e këndej, ai ka qenë i heshtur edhe në aktivitete tjera publike përkundër që kishte marrë 107 mijë vota në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 për deputet.

Ministri i ri (e i vjetër) i Shëndetësisë megjithatë gjatë gjithë kësaj kohe ka ushtruar funksionin e kryetarit të ri të Qendrës së VV-së në Prishtinë.

Ai do të rizgjidhej gjatë kësaj vjeshte në këtë funksion, pavarësisht që në aktivitete duket përgjithësisht mungues, ndoshta edhe për shkak të pozitës menaxheriale që e mbante në klinikën private "Olive".

Dy ditë më parë, Vetëvendosje do të niste një aktivitet të titulluar “Asnjë cent Serbisë kriminale”. Kërkonin bojkotimin e produkteve serbe. Arben Vitia nuk do të dukej askund në atë aktivitet.

Më 7 dhjetor, VV e Prishtinës do të postonte diçka tjetër: “1 vit kaos për të gjithë”. Denoncohej Përparim Rama. Por, kryetari i VV-së në Prishtinë nuk ishte aty për t’i dhënë zë kritikave të partisë. Aty ishte Gëzim Sveçla dhe të tjerë aktivistë të partisë por jo edhe shefi i tyre.

Ndërkohë, shiheni këtë fotografi nga Qendra e VV-së në Prishtinë për nder të 28 nëntorit. Ka deputetë të partisë, përfshirë Mimoza Kusarin e Salih Zybën, por mungon Arben Vitia.

Vitia megjithatë do të ishte aktiv në zgjedhjet e brendshme, që do të rezultonin me zgjedhjen e tij kryetar. Por, a mjafton kjo?

Ndërkohë, në faqen e tij në Facebook, Vitia prej ditës kur humbi në zgjedhje ka bërë vetëm tri postime – njëra prej të cilave ishte thjesht një fotografi më 20 mars, për ditëlindje.

Mungesat e shumta të z. Vitia në detyrën e tij si kryetar i Qendrës së VV-së në Prishtinë nuk duken të jenë ogur i mirë për mandatin e tij të ri si ministër i Shëndetësisë.

Lajme të ngjashme