Rusia thotë se Ukraina u mundua ta kalonte kufirin pas nisjes së armëpushimit
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të enjten se forcat ukrainase kishin bërë dy përpjekje për ta thyer kufirin në rajonin rus të Kurskutq ë nga fillimi i armëpushimit traditor të shpallur në mënyrë të njëanshme nga Moska.
Rusia dhe Ukraina e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit, i cili u njoftua javën e kaluar nga presidenti rus, Vladimir Putin, dhe hyri në fuqi të enjten, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sulmet ndaj fushave ajrore ukrainase dhe kapja e fshatit Troitske nga forcat ruse në rajonin Donetsk të Ukrainës ndodhën para se të hynte në fuqi armëpushimi, tha Rusia.
Megjithatë, një zëdhënës ushtarak ukrainas tha se Rusia i kishte vazhduar sulmet në disa zona të frontit lindor dhe prokurorët thanë se dy persona ishin plagosur, ndërsa një burrë u vra gjatë bombardimeve në rajonin Sumy.
Në anën tjetër, Vladimir Saldo, guvernator i emëruar nga Rusia në rajonin Kherson, tha se një grua ishte vrarë nga disa copëza predhash ukrainase afër shtëpisë së saj, pranë Lumit Dnipro.
Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte në mënyrë të pavarur raportimet nga fusha e betejës.