Rusia thotë se rrjedhjet në gazsjellës ndodhën në zonën e kontrolluar nga inteligjenca e ShBA-së
Ministria e Jashtme e Rusisë tha të enjten se të çarat në gazsjellësin “Rrjedha Veriore”, që kanë shkaktuar rrjedhje të gazit afër brigjeve të Danimarkës dhe Suedisë, ndodhi në territorin që është “plotësisht nën kontrollin” e agjencive amerikane të inteligjencës.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, i tha një televizioni pro Kremlinit se Uashingtoni ka kontroll të plotë mbi ujërat përreth Danimarkës e Suedisë, ku janë zbuluar katër rrjedhje në gazsjellësit “Rrjedha Veriore 1” dhe “Rrjedha Veriore 2”, që kalojnë nëpër Detin Baltik mes Rusisë dhe Gjermanisë.
“Kjo ndodhi në zonat tregtare e ekonomike të Danimarkës dhe Suedisë. Atje janë vende NATO-centrike. Ato janë shtete që kontrollohen plotësisht nga shërbimet inteligjente të ShBA-së”, tha Zakharova.
Sidoqoftë, ajo nuk paraqiti dëshmi për kontrollin amerikan ndaj Suedisë dhe Danimarkës. Danimarka është anëtare e NATO-s, ndërsa Suedia ka aplikuar për anëtarësim, raporton agjencia “Reuters”.
Bashkimi Evropian dyshon se prapa rrjedhjeve të gazit qëndron akti i sabotimit dhe ka premtuar kundërpërgjigje të fuqishme ndaj çfarëdo pengimi të qëllimshëm të infrastrukturës së energjisë.