Rusia thotë se dialogu me NATO-n është në “zero kritike”, por nuk synon konflikt të hapur
Marrëdhëniet Rusi – NATO janë duke u përkeqësuar, por Moska nuk synon që të hyjë në konflikt me ndonjë shtet të aleancës, tha në një intervistë të publikuar të enjten zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Alexander Grushko.
Në komentet për shënimin e 75-vjetorit të NATO-s, Grushko i tha agjencisë shtetërore të lajmeve RIA se marrëdhëniet po përkeqësohen “në mënyrë të parashikueshme dhe të qëllimshme” dhe se të gjitha kanalet mes Moskës dhe aleancës perëndimore janë sjellë në nivel të “zeros kritike” nga Uashingtoni dhe Brukseli, raporton agjencia “Reuters”.
“A është blloku ushtarak I gatshëm për një konflikt të hapur me Rusinë? Duhet t’i pyesni vetë anëtarët e NATO-s. Në çfarëdo rasti, ne nuk kemi synime të tilla në lidhje me shtetet anëtare të aleancës” – tha zëvendësministri rus.
NATO-ja thotë se është duke e ndihmuar Ukrainën që të luftojë për mbijetesë përballë agresionit rus dhe shtetet anëtare të saj i kanë ofruar Kievit armë të avancuara, trajnime e të dhëna të inteligjencës.
Rusia thotë se këto veprime e bëjnë NATO-n de fakto pjesë të konfliktit. Presidenti rus, Vladimir Putin, tha në shkurt se një konflikt i drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe NATO-s do të nënkuptonte që planeti do të ishte një hap larg luftës së tretë botërore.