Rusia reagon pas urdhërarresteve të Gjykatës së Hagës për dy komandantë rusë
Kremlini tha të mërkurën se Rusia nuk i njeh urdhërarrestet e lëshuara nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për dy komandantë rusë të dyshuar për krime lufte në Ukrainë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale tha të martën se kishte lëshuar urdhërarreste për dy komandantët e lartë rusë, Sergei Kobylash dhe Viktor Sokolov, për sulmet ajrore kundër infastrukturës energjetike të Ukrainës, raporton agjencia “Reuters”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se pasi Rusia nuk është pjesë e Statutit të Romës, me të cilin është themeluar Gjykata Ndërkombëtare Penale, Moska nuk i njek këto urdhërarreste.
“Ne nuk jemi palë të Statutit – ne nuk e njohim këtë” – u tha Peskovi gazetarëve, kur u pyet për urdhërarrestet e GjNP-së.
“Ky nuk është vendimi i parë. Ne gjithashtu dimë se ka procese të ndryshme të mbyllura që po zhvillohen atje, që mbahen sekrete, dhe ne trajtojmë vendime të tilla në përputhje me rrethanat” – shtoi ai.
Në mars të vitit të kaluar, GjNP-ja kishte lëshuar urdhërarrest për arrestimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe komisionares ruse për fëmijë, Maria Lvova-Belova, nën akuza për krime lufte të ndërlidhura me rrëmbimin e fëmijëve ukrainas.