Rusia raporton për dy të vrarë nga sulmi ukrainas në Belgorod - NACIONALE

Rusia raporton për dy të vrarë nga sulmi ukrainas në Belgorod

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën nga një sulm ukrainas me raketë në qytetin kufitar rus, Belgorod, tha të shtunën guvernatori rajonal, përderisa rusët po vazhdojnë të votojnë në zgjedhjet presidenciale treditore.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin “Telegram”, guvernatori Vyacheslav Gladkov tha se qyteti ishte goditur nga raketa të hedhura nga sistemi raketahedhës “Vampire”. Ai shtoi se disa automjete dhe ndërtesa janë dëmtuar në Belgorod dhe në fshatrat përreth tij, raporton agjencia “Reuters”.

Në video të siguruara nga agjencia “Reuters” shihen zjarre dhe dëgjohen sirena alarmi rrugëve boshe të Belgorodit.

Provinca Belgorod shtrihet në kufi me Ukrainën dhe është sulmuar shpesh nga forcat ukrainase nga viti 2022. Në dhjetor të vitit të kaluar, 25 persona u vranë nga një sulm me raketë në qytet.

Më herët të shtunën, Gladkovi tha se pesë persona, përfshirë një fëmijë, ishin plagosur nga një sulm me dron ndaj një veture që po lëvizte afër kufirit me Ukrainën.

Presidenti Vladimir Putin të premten e akuzoi Ukrainën se po mundohet që t’i sabotojë zgjedhjet presidenciale të Rusisë, të cilat përfundojnë të dielën.

Lajme të ngjashme