Rusia planifikon që t’i mbrojë me sisteme raketore rafineritë e naftës dhe gazit
Një zyrtar i Ministrisë së Energjisë në Rusi tha të martën në një takim parlamentar se ekzistojnë plane për t’i mbrojtur objektet e naftës dhe gazit me sisteme raketore.
“Ne jemi duke punuar së bashku, përfshirë kolegët nga Garda Kombëtare ruse, për të mbuluar objekte, për instalimin, sipas rrethanave, të sistemeve mbrojtëse si ai Pantsir” – tha Aryom Verkhov-i, drejtor i departamentit për zhvillimin e industrisë së gazit në Ministrinë e Energjisë, raporton agjencia “Reuters”.
Ukraina i ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës ruse të naftës nga fillimi i këtij viti, duke goditur disa rafineri të mëdha nafte në përpjekje për ta dëmtuar ushtrinë ruse dhe për t’i kufizuar përparimet e saj në terren.
Kapaciteti rus për rafinimin e naftës që është mbyllur pas sulmeve ukrainase me dronë në çerekun e parë përbën rreth 4,6 milionë tonë ose rreth 7 për qind të totalit, sipas përllogaritjeve të agjencisë “Reuters”.