Rusia kryen sulm të ri ndaj Kievit, raportohet për katër të vrarë
Rusia kreu një sulm intensiv ndaj Kievit të Ukrainës natën e kaluar. Reporterët e agjencisë “Reuters” thanë se pati shpërthime të forta njëra pas tjetrës.
Të premten, autoritetet në kryeqytetin ukrainas raportuan për katër njerëz të vrarë e 20 të plagosur, prej tyre 16 të dërguar në spital, raporton gazeta “The Guardian”.
“Katër njerëz janë konfirmuar të vdekur në kryeqytet. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar në disa lokacione” – tha kryetari i Kievit, Vitali Klitschko.
Operimet në sistemin e metrosë u penguan, pasi një sulm rus kishte goditur dhe kishte dëmtuar një tren që ndodhej mes stacioneve, tha administrata ushtarake e qytetit.
Sulmet ajrore gjithashtu shkaktuan zjarre në ndërtesa banimi në pjesë të ndryshme të qytetit, thanë autoritetet.