Rusia kryen sulm raketor në Kiev, dhjetë të lënduar
Rusia kreu një sulm raketor në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, të enjten herët, duke lënduar të paktën dhjetë persona e duke dëmtuar ndërtesa banimi e objekte industriale, thanë zyrtarët e qytetit, edhe pse sistemet e mbrojtjes ajrore i rrëzuan të gjitha raketat.
Në shënjestër të sulmit të parë të madh javëve të fundit në qytet u përdorën raketa balistike dhe me vetëdrejtim, tha Serhiy Popko, drejtor i administratës ushtarake në Kiev, raporton agjencia “Reuters”.
“Pas një pause prej 44 ditësh, armiku nisi një sulm tjetër raketor ndaj Kievit. Të gjitha shërbimet emergjente janë duke punuar në vendet e ngjarjes. Pastrimi i pasojave të sulmit raketor është duke u zhvilluar” – tha ai.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se të paktën dhjetë persona u lënduan në mbarë qytetin. Një vajzë 11 vjeçe është në mesin e dy personave që u dërguan në spital, thanë zyrtarët lokalë.
Komandanti i forcave ajrore tha se sistemet e mbrojtjes ajrore i rrëzuan të gjitha 31 raketat ruse që e kishin në shënjestër kryeqytetin.
Popko tha se ushtria ruse përdori bombardues strategjikë dhe gjithashtu hodhi disa raketa nga territori rus.