Rusia e thërret në takim ambasadoren amerikane në Moskë, paralajmëron dëbime
Ministria e Jashtme e Rusisë tha të enjten se e ka thërritur në takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Moskë, Lynne M. Tracy, dhe e ka paralajmëruar kundër “përpjekjeve për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Federatës Ruse”, raporton agjencia “Reuters”.
Para zgjedhjeve presidenciale të marsit në Rusi, kjo ministri tha në një deklaratë se sjella e tillë do të “shtypet në mënyrë të prerë dhe të vendosur, deri te dhe duke e përfshirë dëbimin si “persona non grata” të stafit të ambasadës amerikane të përfshirë në veprime të tilla”.
Lufta në Ukrainë e ka nxitur krizën më të thellë në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin që nga Kriza Kubane e Raketave më 1962 dhe presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se Perëndimi rrezikon që të provokojë një luftë bërthamore, nëse dërgon trupa për të luftuar në Ukrainë.
Një oficer i lartë ushtarak rus, Gjeneral Kolonel Vladimir Zarudnitsky, ka paralajmëruar se konflikti në Ukrainë mund të eskalojë në një luftë të plotë në Evropë dhe se mundësia që forcat ruse të përfshihen në një konflikt të ri është duke u rritur “në masë domethënëse”.