Rusia e ndalon eksportimin e benzinës për gjashtë muaj nga 1 marsi
Rusia të martën njoftoi ndalim 6-mujor të eksportimit të benzinës nga 1 marsi për ta plotësuar kërkesën në rritje nga konsumatorët dhe bujqit dhe për ta mundësuar mirëmbajtjen e planifikuar të rafinerive.
Ky vendim, për të cilin së pari raportoi RBC-ja, u konfirmua nga një zëdhënës i zëvendëskryeministrit Alexander Novak, raporton agjencia “Reuters”.
Rusia më parë kishte marrë një vendim të ngjashëm mes shtatorit dhe nëntorit të vitit të kaluar, në mënyrë që të luftoheshin çmimet e larta brenda vendit dhe mungesa. Nga ky vendim ishin përjashtuar vetëm katër shtete – Bjellorusia, Kazakistani, Armenia dhe Kirgizia.
Kësaj radhe, vendimi nuk do të vlejë për shtetet anëtare të Unionit Ekonomik Euroaziatik, Mongolinë, Uzbekistanin dhe dy rajonet separatiste të Gjeorgjisë, që përkrahen nga Rusia – Osetia e Jugut dhe Abkhazia.