Rusia e akuzon Ukrainën për mungesë vullneti për bisedime - NACIONALE

Rusia e akuzon Ukrainën për mungesë vullneti për bisedime

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të martën se deklarata e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se nuk do të ketë marrëveshje “Minsk 3” për t’u dhënë fund luftimeve në Ukrainë, vërteton që Kievi nuk është i interesuar për të zhvilluar bisedime të paqes me Moskën, raporton agjencia RIA.

Duke folur përmes video-lidhjes në samitin e Grupit G20 në Bali, presidenti ukrainas të martën përjashtoi një marrëveshje të tretë të Minskut, referencë për dy marrëveshje të dështuara për armëpushim mes Kievit dhe Moskës për statusin e rajonit lindor ukrainas, Donbas.

“Ne nuk do ta lejojmë Rusinë që të presë, t’i grumbullojë forcat e veta dhe pastaj të fillojë një varg të ri të terrorit dhe destabilizimit global. Nuk do të ketë Minsk 3, të cilin Rusia do ta shkelë menjëherë pas marrëveshjes”- tha Zelensky.

Kur u pyet të martën nëse kjo deklaratë vërteton që Kievi nuk ka vullnet për të biseduar me Rusinë, zëdhënësi rus tha: “Absolutisht.”

Bisedimet e paqes mes dy palëve kanë qenë të rralla në muajt e fundit, pas dështimit të përpjekjeve të hershme për të ndërmjetësuar për një marrëveshje armëpushimi në Stamboll në javët e para të luftës.

Lajme të ngjashme