Rusia akuzohet për plaçkitjen e çelikut ukrainas të destinuar për Evropë
Rusia po plaçkit çelik në vlerë të 600 milionë dollarëve nga fabrikat dhe portet e Ukrainës, sipas shefit të fabrikës më të madhe të çelikut në Ukrainë, “Metinvest”.
Kjo kompani e ka në pronësi fabrikën famëkeqe, “Azovstal”, e cila ishte bërë qendër e rezistencës ukrainase gjatë sulmit shkatërrues të rusëve në qytetin Mariupol.
Shefi ekzekutiv i kompanisë, Yuri Ryzhenkov, tha se çeliku po dërgohet në Rusi dhe po shitet dhe se një pjesë e tij ka qenë e destinuar për Britaninë e Madhe. Rusia nuk e ka komentuar këtë akuzë.
Kompania “Metinvest” e ka selinë kryesore në Mariupol, dikur qendër e tregtisë dhe prodhimit. Qyteti ra në duart e rusëve në maj pas sulmeve që zgjatën gati tre muaj.
Ryzhenkov tha se 300 punëtorë dhe 200 familjarë të punëtorëve janë vrarë nga sulmet në fabrikën “Azovstal”, e cila bashkë me fabrikën simotër, “Ilyich”, prodhonin 40 për qind të çelikut në Ukrainë.
Ai tha se burimet publike e informatorët e kompanisë kanë raportuar se çeliku po dërgohet në Rusi dhe po shitet në tregjet e brendshme ose në shtetet e Afrikës dhe Azisë.