RTK-ja e ndalon transmetimin e emisionit të Adelina Ismailit, këngëtarja nuk i di arsyet
Këngëtarja e njohur Adelina Ismaili ka njoftuar se RTK-ja mbrëmë ka ndalur transmetimin e emisionit të saj “Show i së premtes”.
Në profilin e saj në “Facebook”, Ismaili ka treguar se kjo është bërë me “urdhër” të ushtruesit të detyrës se kryeredaktorit të RTK-së.
Këngëtareje ka bërë me dije se nuk i di arsyet e ndalimit të emisionit të saj.
“Të dashur miq. Sonte u njoftova jozyrtarisht që është ndaluar transmetimi i emisionit tim “Shoë i së premtes” sonte nga u.d. së kryeredaktorit të RTK-së. Për më shumë info, do t’iu njoftojmë në ditët në vijim”, ka shkruar Ismaili.
Gazeta Nacionale ka tentuar ta marrë një qëndrim nga autorja e emisionit për këtë çështje, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Për emisionin e të premtes, këngëtarja kishte të ftuar teologun kontrovers Drilon Gashi.
Gashi, më herët ka qenë këshilltar i kryeparlamenatrit Glauk Konjufca.
Por, nga kjo pozitë ishte shkarkuar pasi mediat kishin raportuar se Gashi ishte i dënuar me vendim të gjykatës për dhunë ndaj gruas së tij.
Ditë me parë, këngëtarja kishte treguar edhe temat që do t`i diskutonte me teologun.
“Arabia Saudite feston Vitin e Ri, dhe…? A ishte Skendërbeu armik i fesë islame? Çfarë thotë feja islame për fetë tjera? A po rrëshqet Kosova në ekstremizëm fetar? Pse po flirton politika shqiptare me islamin politik? Si e komenton hoxha Nënën Terezë? A ka bërë BIK diçka që të njihemi nga shtetet myslimane? Xhubleta- veshja e gruas shqiptare e vjetër 4.000 vjet! Këtë të premte ora 21:00 në RTK “Shoë i së premtës” me hoxhën e nderuar Drilon Gashi”, kishte shkruar Ismaili.
Në emisionin e saj, Ismaili si mysafirë ftonte figura të njohur të skenës politike dhe shoqërore.
Në emisionin e fundit, mysafire e saj ishte kryetarja e Grupit Parlament të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Më herët kanë qenë të ftuar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, aktori Luan Jaha dhe disa mysafirë të tjerë.