Rrustem Mustafa: Gjykata Speciale ka anuluar intervistimin tim - NACIONALE

Rrustem Mustafa: Gjykata Speciale ka anuluar intervistimin tim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, ka njoftuar se Gjykata Speciale e ka anuluar intervistimin e tij, i cili ishte paraparë të realizohet sot.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se njoftimin për intervistim e kishte pranuar më 1 nëntor, kurse njoftimin për anulim e ka pranuar dje.

Megjithatë, ai është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me drejtësinë.

“Në mbrëmjen e dt. 1.11. 2023, nga zyrtarët e dhomave të veçanta të Prokurorisë Speciale të Kosovës, kam pranuar një ftesë për t'u intervistuar sot, me 3.11.2023, në ora 09:00. Në ndërkohë, po nga të njëjtit zyrtarë, dje pasdite, fillimisht përmes një thirrjeje telefonike dhe pastaj një sms-je dhe email-i, m'u konfirmua se intervistimi im nga ZPS-ja është anuluar”, ka shkruar Mustafa, duke treguar se është i gatshme për bashkëpunim.

Në lidhje me këtë çështje dua ta konfirmoj edhe një herë përcaktimin e përkushtimin tim. Si në të kaluarën ashtu edhe sot, por edhe nesër e kurdo që është nevoja, jam i gatshëm për të dhënë kontributin tim në favor të drejtësisë. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë mbrojtëse dhe çlirimtare, ashtu siç thonë edhe miqtë ndërkombëtarë. Luftë më të drejtë dhe më të pastër (për aq sa, pastërtinë e tillë e mundosojnë rrethanat e luftës) nuk njeh historia e njerëzimit. Jam me fat që kam qenë njëri nga protagonistët e kësaj lufte, dhe të vërtetën e saj jam i gatshëm ta mbroj në çfarëdo cilësie. Falë luftës së UÇK-së, jo vetëm Kosovës por edhe rajonit, i është hapur rruga e integrimit në familjen evropiane, aty ku e kemi vendin ne si komb dhe si shoqëri. Me nderime!”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme