Rrusta e PSD-së: VV-ja keqpërdori varfërinë e njerëzve, për t’u ngritur për vete
Aktivistja e Partisë Socialdemokrate, Teutë Rrusta, ka thënë se numri i inspektorëve ka zbritur, pavarësisht premtimeve te Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.
Rrusta përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se “Qeveria po thërret për sakrificë, por nuk po jep përkujdesje”.
“Pak inspektor, pak punë, aspak shqetësim për kushtet e punëtorëve. Tani pyesim pse ikin njerëzit nga këtu edhe pas “shpresës së re”. Popo, ikin, nuk dalin zakonshëm. Logjika thotë se tash ata do të duhen t’i mbante besimi, apo jo? Qeveria në secilin moment po thërret për sakrificë, por nuk po jep përkujdesje.” – ka shkruar ajo.
Tutje, Rrusta ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka keqpërdorur gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve, për t’u ngritur për vete.
“Një kënd interesant ky, me pa qysh “ndryshimi i madh, nevoja për transformim” ishin vetëm retorikë, populizëm dhe si fushatë për luftimin e oponentëve. VV keqpërdori gjendjen e rëndë ekonomike dhe varfërinë e njerëzve për tu ngritur për vete. Iu foli njerëzve sesi pushteti i vjetër ua vjedhi bukën e gojës. U tha që nuk është problem rendi ekonomik, por korrupsioni është burimi i pabarazisë.” – tha ajo.
Në fund, aktivistja ka shkruar: “Por, as sot e dy vite, nuk ka politika sociale, progresive, ndërhyrje në pabarazitë e shtresëzuara historikisht. Ka vetëm zëvendësim të tyre me disa skema sociale që dekurajojnë e stigmatizojnë.”