Rrjedhje misterioze e gazit në gazsjellësit rusë nën det për në Evropë
Disa vende evropiane të martën po mundohen që të hetojnë rrjedhje të pashpjegueshme të gazit në dy gazsjellës rus nën Detin Baltik, afër Suedisë e Danimarkës, infrastrukturë e cila është në zemrën e një krize energjetike që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Autoriteti Detar i Suedisë lëshoi një paralajmërim për dy rrjedhje në gazsjellësin “Rrjedha Veriore 1”, pak kohë pas një rrjedhjeje afër gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2”, që u zbulua dhe e nxiti Danimarkën për ta kufizuar lundrimin në një rreze prej pesë miljesh detare, raporton agjencia “Reuters”.
Të dy këta gazsjellës kanë qenë pikë e nxehtë e luftës së eskaluar energjetike mes Evropës dhe Rusisë, që i ka goditur ekonomitë perëndimore dhe e ka shtrenjtuar gazin.
Përmes asnjërit gazsjellës nuk po dërgohej gaz për në Evropë në kohën e zbulimit të rrjedhjeve, në kohën e mosmarrëveshjes për luftën në Ukrainë, por në të dy gazsjellësit ende kishte gaz nën presion. Këto incidente do t’i pengojnë përpjekjet për nisjen ose rinisjen e operacioneve komerciale në ndonjërin gazsjellës.
“Dje, një rrjedhje u zbulua në njërin nga dy gazsjellësit mes Rusisë dhe Danimarkës – Rrjedha Veriore 2. Gazsjellësi nuk është në operim, por përmban gaz natyror, që tash është duke rrjedhur”, tha ministri i Energjisë i Danimarkës, Dan Jorgensen.
“Autoritetet tash janë informuar se kanë ndodhur dy rrjedhje të tjera në Rrjedhën Veriore 1, që gjithashtu nuk është në operim, por përmban gaz”, shtoi ai.