Rritje e numrit të votuesve në Junik, Kuçi i AAK-së ankohet në KQZ
Anëtari i AAK-së në KQZ, Muharrem Nitaj, ka shprehur shqetësimin e tij për ndërrimin e vendbanimeve të votuesve në disa komuna.
Ai ka bërë me dije se më 12 tetor në Komunë të Junikut kanë votuar edhe qytetarët e komunave tjera.
Në profilin e tij në “Facebook”, Nitaj ka treguar se kandidati për kryetar i kësaj Komune, Agron Kuqi, ka bërë një ankesë drejtuar KQZ-së, e cila flet për rritje të pazakontë të numrit të votuesve në këtë komunë.
“Tejet shqetësuese informacionet që vijnë nga terreni për ndërrimin vendbanimeve te votuesve, përfshirë edhe ndërrimin e komunave, për zgjedhjet komunale të 12 Tetorit. Qindra raste që nuk mund të arsyetohen me asnjë kriter. Janë disa komuna që e kanë ngritur alarmin për këtë dukuri, por rasti më eklatant duket të jetë komuna e vogël e Junikut. Kandidati për kryetar i kësaj Komune, Agron Kuqi, në një ankesë drejtuar KQZ-së, flet për rritje të pazakontë të numrit të votuesve nga përsona, që nuk kanë as adresë, as mbiemër, as vende pune as ndonjë lidhje tjetër me këtë komunë”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Juniku është komunë e vogël dhe secili e njeh secilin, prandaj kjo çështje duhet parë me shumë kujdes dhe nëse ka indicje se një veprim i tillë është bërë me qëllim të manipulimit të rezultatit zgjedhor, gabimi duhet të korrigjohet. Përfundimisht çështja e ndërrimit të vendvotimeve, posaçërisht kalimi i votuesve prej një komune në një komunë tjetër, duhet të evdidencohet si problem serioz i këtyre zgjedhjeve në mënyrë që të mos përsëritet në zgjedhjet e radhës”, ka shkruar ia.