Rritja ekonomike e Kinës i tejkaloi pritjet në çerekun e dytë të vitit - NACIONALE

Rritja ekonomike e Kinës i tejkaloi pritjet në çerekun e dytë të vitit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ekonomia e Kinës i ka tejkaluar pritjet për rritje, edhe përkundër taksave të presidentit amerikan, Donald Trump,dhe një krize të gjatë në tregun e pronave.

Të dhënat zyrtare tregojnë se ekonomia e dytë më e madhe në botë u rrit për 5,2 për qind në tremujorin e dytë të vitit në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo rritje është pak më e lartë se ajo prej 5,1 për qind që ishte parashikuar nga shumë ekonomistë, por më e ulët se në çerekun e parë të vitit, raporton televizioni BBC.

Kina deri më tani ka shmangur një rënie të ndjeshme, pjesërisht falë masave të njoftuara nga autoritetet për ta mbështetur ekonominë dhe pas një “armëpushimi” të brishtë tregtar me Uashingtonin.

Ekonomia “i bëri ballë presionit dhe bëri përmirësim të qëndrueshëm pavarësisht sfidave” – tha në një deklaratë Byroja Kombëtare e Statistikave e Kinës.

Zyrtarët thanë se rritja ekonomike u ndihmua nga zgjerimi prej 6,4 për qind në prodhim, pasi u rritën kërkesat për pajisje të prodhuara me printim 3D, automjete elektrike dhe robotë industrial.

Sektori i shërbimeve, ku përfshihen fusha si transporti, financat dhe teknologjia, gjithashtu shënoi rritje. Sidoqoftë, shitjet me pakicë në qershor u rritën për vetëm 4,8 për qind në krahasim me një vit më parë, në krahasim me rritjen prej 6,4 për qind në maj.

Sipas të dhënave zyrtare, vërehet rënie në çmimet e shtëpive të reja të Kinës në qershor, duke e shënuar ritmin më të shpejtë negativ në tetë muajt e fundit.

Të dhënat lënë të kuptohet se industria e patundshmërive po vazhdon që të ballafaqohet me vështirësi pavarësisht nga disa valë të masave për t’i mbështetur çmimet e pronave./Nacionale

Lajme të ngjashme