Rritet numri i viktimave të tërmetit në Tajvan, ende rrezik nga rrëshqitja e dheut - NACIONALE

Rritet numri i viktimave të tërmetit në Tajvan, ende rrezik nga rrëshqitja e dheut

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ekipet e shpëtimit në Tajvan u ballafaquan me rrezikun e rrëshqitjes së re të dheut dhe rënies së gurëve gjatë kërkimit të premten të disa personave ende të zhdukur nga tërmeti i fuqishëm i kësaj jave.

Numri i të vdekurve shkoi në 12, ndërsa disa prej personave të ngujuar u shpëtuan, raporton agjencia “Reuters”.

Punëtorët e kërkim-shpëtimit gjetën edhe dy trupa pas tërmetit të së mërkurës me fuqi prej 7,2 shkallës në distriktin lindor me popullsi të rrallë, Hualien.

Përderisa rreth 50 dridhje të reja e goditën zonën gjatë natës, disa që u ndien deri në Taipei, shpëtuesit thanë se rreth 400 persona që ishin ngujuar në një hotel luksoz tashmë janë të sigurt. Helikopterët u përdorën për t’i tërhequr të lënduarit dhe për të dërguar furnizime.

“Shiu e shton rrezikun për rënie gurësh dhe rrëshqitje dheu, të cilat tash për tash janë sfidat më të mëdha” – tha Su Yu-ming, udhëheqës i një ekipi të kërkimit që po i ndihmon përpjekjet për shpëtim.

“Këta faktorë janë të paparashikueshëm, që do të thotë se ne nuk mund ta konfirmojmë numrin e ditëve që nevojiten për operacionet e kërkim-shpëtimit” – shtoi ai.

Departamenti i zjarrfikësve tha se dy trupa u gjetën në male, ndërsa raportoi për 18 të zhdukur, tre prej tyre të huaj me shtetësi australiane dhe kanadeze.

Lajme të ngjashme