Rrëfimi rrëqethës i dëshmitares së masakrës në Srebrenicë - NACIONALE

Rrëfimi rrëqethës i dëshmitares së masakrës në Srebrenicë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Jasmina Sadiku ishte 37 vjeçare kur pa nga afër se ç’po planifikonte ushtria serbe të bëntë në Srebrenicë.

Tashmë 63 vjeç, Sadiku ishte dëshmitare e gjenocidit që po planifikohej para 27 vjetëve në Srebrenicë. Asaj serbët ia masakruan disa anëtarë të familjes.

Jasmina, jetonte në fshatin Karakaj të Bosnjës kur serbët rrethuan fshatin dhe detyruan boshnjakët të largoheshin nga aty.

Në një rrëfim për T7, ajo rrëfen për rastin kur forcat serbe i vrisinin burrat e familjes.

"Ma e madhja masakër u kanë në Karakaj, qaty ma kanë masakru vëllain 27 vjeçar, dy dhëndurët, kanë mbetë fëmija pa babë, e kanë rrehë burrin, mu m’kanë gju prej katit të dytë”, thotë ajo, e cila arriti të largohej, por brenda rrethimit i kishte mbetur vajza e saj.

63-vjeçarja pas luftës në Bosnje, për shkak të lidhjeve familjare, erdhi të jetojë në Kosovë.

Kur kanë kaluar 27 vjet nga masakra, tregon që Srebrenica ka mbetur me vuajtjet e njëjta.

Vizita e vetme në Serbrenicë e Jasmina Sadikut ka qenë para 14 vitesh kur edhe vizitoi varrezat e familjarëve që iu vranë.

Tmerri e dhuna që përjetuan e shtyu që dëshira për t'u kthyer në vendlindje t’i largohet.