Rrahet rëndë në Vlorë avokati i Ilir Metës, përfundon i shtrirë në spital
Avokati i njohur i Vlorës, Kujtim Cakrani, njëherësh mbrojtës ligjor i ish-presidentit Ilir Meta, është rrahur rëndë mesditën e sotme rreth orës 13:30 në ambientet e një pike karburanti në qytetin e Vlorës. Sipas deklarimeve të tij, Cakrani është sulmuar nga dy persona të panjohur teksa po furnizohej me karburant.
Fillimisht, ai është ofenduar verbalisht, ndërsa më pas është goditur fizikisht me një mjet prerës në pjesën e pasme të kokës, duke pësuar një frakturë të rëndë. Avokati është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet i shtruar në reanimacion, në gjendje serioze shëndetësore.
“Ishin dy çuna me një makinë, të cilët pasi më provokuan, më dhunuan fizikisht. Nuk i njoh ata… njëri po më fliste nga dritarja, tjetri hyri nga dera e pasagjerit dhe më goditi pas koke”, ka deklaruar Cakrani për Top Channel.
Policia dhe ekspertët mjeko-ligjorë pritet të marrin dëshminë e tij, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.