Rohde i qartë: Nuk bëhet fjalë për hapjen e Urës së Ibrit, ka rrezik për tensione
Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë, ka folur rreth hapjes së Urës së Ibrit.
Në një intervistë për RTK-në, Rohde ka qenë goxha i qartë në lidhje me çështjen e hapjes së urës.
Ai ka thënë se ura duhet të hapet, por se tani nuk është koha.
“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës, natyrisht, ne kemi të njëjtat qëllime si ato të qeverisë, që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen. Dhe, ka edhe një vendim nga këto marrëveshje që duhet zbatuar, është marrëveshja e arritur për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Por, koha nuk është tani, e dini, ka rrezik për tensione atje” – ka thënë Rohde.
“Tani duhet të ketë një proces, duhet të ketë konsultime, por për momentin nuk bëhet fjalë për hapje. Këtë ia kemi komunikuar qeverisë. Për mua është e qartë se ura duhet të hapet por kemi nevojë për dialog mes qeverisë me Perëndimin, vlerësimi i situatës së sigurisë aktualisht e bënë të qartë se nuk është momenti për të hapur urën. Për sa kohë mendojmë se nuk është momenti i duhur për t’u hapur ura, duhet të qëndrojmë në situatën aktuale” – ka shtuar ai.