Rizvanolli ankohet: Serbia e sabotoi marrëveshjen për energji
Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë në Qeverinë e Kosovës, ka folur rreth marrëveshjes për energji, që u arrit vitin e kaluar, e që parashihte licencimin e Elektroseverit dhe fillimin e pagesës së energjisë nga veriu i Kosovës.
Sipas Rizvanollit, pala serbe e ka sabotuar procesin.
“Kemi pasur një udhërrëfyes vitin e kaluar me afat 100 ditësh, kemi thënë se pagesat e fundit me buxhetin e Kosovës do jenë ato deri me afatin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Kemi pasur kërkesa nga KOSTT-i që nga ajo kohë, por nuk kemi ndarë mjete shtesë. Ne kemi bërë të qartë për të gjitha palët që një mënyrë e tillë e funksionimit nuk mund të vazhdoj. Ne i kemi kryer detyrat tona në afatet e duhura, nga ana tjetër ka pasur sabotim.” – deklaroi ajo, transmeton Koha.
Tutje, Rizvanolli ka paralajmëruar se Kosova nuk do të bëjë më shumë kompromise.
“Me kërkesën e ndërmjetësuesve ne kemi vazhduar të diskutojmë shqetësimet, por pa bërë kompromise shtesë të marrëveshjes dhe e kemi bërë të qartë që versioni i fundit i kontratës që i është dërguar Elektroserverit është versioni i fundit i marrëveshjes që duhet nënshkruhet nga ta. Dje KEDS-i i ka kërkuar kërkesën e fundit Elektroseverit. Presim që të ndodhë kjo shumë shpejt nëse jo do të shohim opsionet e tjera se si të adresohet.” – deklaroi tutje ajo.