Rinia e PDK-së i bashkohet aksionit para Qeverisë: Albin Kurti, ndaleni bllokadën, konstituojeni Kuvendin - NACIONALE

Rinia e PDK-së i bashkohet aksionit para Qeverisë: Albin Kurti, ndaleni bllokadën, konstituojeni Kuvendin

5 orë më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar të martën aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit. Në aksion është përfshirë edhe Rinia Demokratike e Kosovës.

Përfaqësuesi i saj, Resul Suma, tha se të rinjtë nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj bllokimit institucional, pasi, sipas tij, kjo situatë dëmton besimin dhe perspektivën e tyre në Kosovë.

“Sot si i ri i këtij vendi, jam bashkuar protestës para ndërtesës së qeverisë, sepse nuk mund të qëndroj indiferent kur institucionet e vendit tim mbahen të bllokuara. Për ne të rinjtë, kjo bllokadë shtetërore ka pasoja reale në jetën dhe të ardhmen tonë. Kur institucionet nuk funksionojnë dhe kur interesi politik e partiak vendoset mbi interesin e shtetit, mesazhi që u dërgohet të rinjve është se këtu nuk ka siguri, stabilitet dhe perspektivë”, tha ai.

Suma paralajmëroi se zgjatja e krizës institucionale mund t’i shtyjë të rinjtë ta shohin largimin nga vendi si alternativë.

Ai kërkoi funksionalizimin e institucioneve dhe i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që të marrë pjesë në Kuvend, duke thënë se shteti nuk duhet të mbahet peng për interesa politike.

"Nuk duam një Kosovë ku të rinjtë mendojnë vetëm se si të largohen. Duam një Kosovë ku institucionet funksionojnë dhe ku askush, pavarësisht sa pushtet ka, nuk mund të mbajë shtetin peng për interesa politike. Prandaj, mesazhi im është i thjeshtë. Albin Kurti, ndaleni bllokadën. Ejani në kuvend, konstituojeni atë dhe hapini rrugë funksionimit të institucioneve. Mos ua merrni të rinjve edhe shpresën e fundit se e ardhmja e tyre mund të ndërtohet në Kosovë”, tha ai.

Lajme të ngjashme