Rikthimi te abuzuesi, një realitet i rreth 80% të grave në Kosovë - NACIONALE

Rikthimi te abuzuesi, një realitet i rreth 80% të grave në Kosovë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dhuna ndaj grave është një problem i vazhdueshëm dhe sfidues në Kosovë. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri i rasteve të dhunës në familje mbetet i lartë. Vetëm në vitin 2023, u raportuan 2,460 raste të dhunës, ndërsa në tre muajt e parë të vitit 2024 janë raportuar 698 raste, prej të cilave 573 viktima janë gra.

Institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë dhe Ministrinë e Drejtësisë, kanë ndërmarrë masa të shumta për të trajtuar dhe parandaluar dhunën në familje.

Në një përpjekje për të ofruar mbrojtje dhe rehabilitim për viktimat e dhunës, Kosova ka ngritur 9 strehimore të licencuara nga Ministria e Drejtësisë.

“Në këto strehimore, kapaciteti i viktimave të dhunës të strehuara arrin prej 10 deri në 15 persona”, kanë deklaruar nga Zyra për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Drejtësisë. Tutje në përgjigjen e tyre me shkrim kanë deklaruar se qeveria ka ndarë një buxhet prej 892,000 euro për vitin 2023 dhe 798,500 euro për vitin 2024 për mbështetjen e këtyre strehimoreve.

Në këto qendra, viktimat marrin trajtime psikosociale, shëndetësore dhe këshillime, si dhe përfitojnë nga programet e riintegrimit në shoqëri. Megjithatë, një problem i madh mbetet rikthimi i viktimave tek dhunuesit e tyre pas qëndrimit në strehimore.

Ardita Ramizi Bala, drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Mirëqenien e Gruas në Pejë, në një përgjigje me shkrim ka deklaruar se rreth 80% e viktimave kthehen tek dhunuesit e tyre.

"Mungesa e përkrahjes nga familjarët e gruas, mungesa e riintegrimit ekonomik dhe gjendja emocionale”, liston ajo arsyet se pse gratë zgjedhin të kthehen te dhunuesi i tyre.

Edhe drejtoresha e Qendrës së Strehimit të Grave dhe Fëmijëve në Prizren, Jubliea Kabashi, konfirmon se një gjë e tillë ndodhë dhe në qendrën që ajo drejton.

“Shpesh viktimat kthehen tek abuzuesi për shkak të moshës dhe pamundësisë për të punuar për shkaqe shëndetësore”, thotë Kabashi.

Adelina Berisha, Menaxhere e Programit mbi Dhunën në Baza Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), thekson se angazhimi i institucioneve shtetërore është i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm.

“Kosova ka miratuar ligje të veçanta për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, ka ratifikuar Konventën e Stambollit dhe ka krijuar strategji për mbrojtjen nga dhuna, duke ngritur qendra të veçanta për ndihmë, ku ofrohen strehim, këshillim psikologjik dhe ndihmë juridike. Policia dhe punonjësit socialë janë trajnuar për të njohur dhe trajtuar rastet e dhunës, megjithëse ka nevojë për trajnime të vazhdueshme dhe më të specializuara. Megjithatë, zbatimi i ligjit shpesh mbetet i dobët”, thotë Berisha.

Ajo vë në dukje se koordinimi ndërmjet policisë, gjykatave dhe shërbimeve sociale është i pamjaftueshëm dhe viktimat përballen me stigmatizim shoqëror dhe mungesë ndërgjegjësimi për të drejtat e tyre

“Viktimat e dhunës në familje në Kosovë përballen me një sërë sfidash të mëdha kur kërkojnë ndihmë nga institucionet shtetërore. Një nga sfidat kryesore është mos trajtimi serioz i rasteve nga ana e organeve të rendit dhe institucioneve të tjera, ku shpeshherë dhuna minimizohet ose injorohet. Viktimat gjithashtu përballen me stigmë shoqërore dhe shpeshherë përpiqen të pajtohen me dhunuesit nga ana e familjes ose komunitetit, gjë që i dekurajon ato nga kërkimi i ndihmës”, thotë ajo.

“…institucionet shpesh nuk kanë burime të mjaftueshme për të ofruar mbështetje të plotë dhe të vazhdueshme, si strehim afatgjatë dhe ndihmë juridike adekuate. Këto sfida e bëjnë të vështirë për viktimat të kërkojnë dhe të marrin ndihmën e nevojshme për të dalë nga situata e dhunës dhe për të rifilluar jetën e tyre”, shton Berisha.

Ndërkohë, ministria përpiqet të sigurojë një riintegrim më të qëndrueshëm përmes trajnimeve profesionale dhe mbështetjes për punësim.

"Qendrat e Aftësimit Profesional ju japin përparësi viktimave të dhunës në familje për trajnimet profesionale të profileve të ndryshme dhe mundësi punësimi për këtë kategori," thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Por, sipas Ardita Ramizi Bala, masat dhe programet ekzistuese janë "shumë të pakta" për të parandaluar kthimin e viktimave te dhunuesi.

Sa i përket kësaj, Adelina Beisha nga RrGK sugjeron se për të përmirësuar situatën, duhet të themelohet një mekanizëm i qartë dhe efektiv koordinimi ndërmjet institucioneve të ndryshme.

"Është e rëndësishme të investohet më shumë në fondet për financimin e strehimoreve dhe për të zhvilluar programe të reja që ofrojnë mbështetje afatgjatë dhe trajnime profesionale për viktimat. Kjo do të mundësonte një rritje më të qëndrueshme dhe të përhershme për ta, duke i ndihmuar ata të integrohen përsëri në shoqëri dhe të rikthehen në jetën e tyre të pavarur", thotë ajo.

Në publikimin “Fuqizimi i Mekanizmave Mbrojtës nga Dhuna me Bazë Gjinore në Kosovë” nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS), theksohet se mungesa e sigurisë fizike në strehimoret e grave është një problem serioz.

"Masat ekzistuese të sigurisë janë të pamjaftueshme për të garantuar sigurinë e plotë të banorëve", shkruhet ndër të tjera në këtë raport. Ky raport specikifon se kjo mungesë sigurie vetëm sa e përkeqëson situatën e viktimave dhe e bën më të vështirë për to të largohen nga dhuna.

Në përpjekjet për të trajtuar dhe parandaluar dhunën ndaj grave, sfidat mbeten të shumta. Ndërsa përpjekjet e institucioneve janë të konsiderueshme, nevojitet një angazhim i vazhdueshëm dhe koordinim më i mirë për të arritur rezultate të qëndrueshme.

*

Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit "Luftimi i Diskriminimit, Gjuhës së Urrejtjes dhe Dhunës në Baza Gjinore". Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC, IKS, D4D dhe AGK, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian';

Lajme të ngjashme