Rihapja e Urës së Ibrit për automjete, NATO: Çdo vendim të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve
NATO-ja ka bërë të ditur se KFOR-i ka nisur tërheqjen graduale nga prania e përhershme në urën e Ibrit.
Këtë proces Aleanca e ka lidhur me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.
Një zyrtar i Aleancës Veri-Atlantike ka bërë të ditur se KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual nga prania e përhershme në urë.
Sipas NATO-s, ky proces është i bazuar në kushtet në terren dhe i kthyeshëm nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë.
“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është në kontakt të rregullt me Presidentin Vuçiç. KFOR-i ka filluar kalimin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore në Mitrovicë, në përputhje me situatën e përmirësuar të sigurisë në Kosovë. Kjo është pjesë e procesit për optimizimin e qëndrimit të KFOR-it, i cili po kryhet me transparencë të plotë të të gjithë palëve të interesuara të përfshira dhe nën udhëheqjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të Gjeneral Major Ulutas, Komandant i KFOR-it”, ka vlerësuar NATO, raporton Klan Kosova.