Rezoluta kundër raportit të Dick Martyt, Krasniqi falënderon Edi Ramën - NACIONALE

Rezoluta kundër raportit të Dick Martyt, Krasniqi falënderon Edi Ramën

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në lidhje me rezolutën kundër raportit të Dick Martyt.

Kjo pasi Rama konfirmoi se e ka dorëzuar rezolutën në Këshillin e Evropës.

Postimi i Krasniqit:

Jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj shtetit shqiptar, që tashmë edhe zyrtarisht është vënë në mbrojtje të së vërtetës së luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ta çliruar këtë të vërtetë nga pretendimet e fabrikuara e të pabaza kundër lirisë dhe pavarësisë sonë.

Adresimi i Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me kërkesë për të rishikuar rezolutën e KE-së që merr për bazë raportin e Dick Martyt, është hapi i parë në rrugën tonë të përbashkët drejt konfirmimit të së vërtetës, të drejtës e drejtësisë.

Ftoj institucionet e Kosovës që t’i përgjigjen këtij rrugëtimi dhe të angazhohen në lobimin e miqve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht në Këshillin e Evropës, duke trokitur në çdo derë ku është e nevojshme, sepse e vërteta i duhet në radhë të parë shtetit të Kosovës, për ta hequr përgjithmonë perden e imazhit të rëndë që ka hedhur mbi UÇK-në, raporti fantom i Dick Martyt.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur kauzë të qartë dhe mision të shenjtë: lirinë e popullit të Kosovës. Asgjë nuk e zhbën e s’do të mund ta zhbëjë të vërtetën e kësaj kauze dhe këtij misioni. Mirënjohës dhe tejet falënderues ndaj Kryeministrit Rama për angazhimin e tij konkret në këtë rrugëtim për të vërtetën dhe të drejtën tonë.

Lajme të ngjashme