Rexhaj: Në Kosovë nuk merret askush me rezultatet e PISA-s dhe as me cilësinë në arsim
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj ka reaguar në lidhje me rezultatet në testin PISA, duke thënë se nuk duhet lënë fajin vetëm pandemisë.
Rexhaj tha se problemi i Kosovës është që askush nuk merret me cilësinë e arsimit, rrjedhimisht as me rezultatet e fundit të testit PISA.
“Ti lirisht ke mujt me e lëshu emisionin e vitit të kaluar, mos me na thirr me na maltretu sepse të njëjtat fjalë si vjet do t’i them edhe tash, në Kosovë nuk lodhen kush, këtu partitë shtyhen me heq dorë nga arsimi kur formojnë qeveri komunale apo nacionale.” – ka thënë Rexhaj në “Kallxo Përnime”.
Rexhaj tutje ka bërë edhe kritika edhe për prindërit për të cilët tha se nuk lodhën për këtë çështje.
“Prindërit është dashur të dalin në protesta për gjendjen e sistemit të arsimit. Na jemi tu i shit fëmijët e tanë shumë lirë, jena tu i çu jashtë punëtorë krahu po i çojmë në Evropë. Nuk po i mbajmë këtu si ekspertë e me punu online për kompani evropiane e me u shit shtrenjtë.” – ka thënë Rexhaj.