REL: Dokumenti i Asociacionit është një nga draftet e fundit, mund të pësojë ndryshime të vogla
Draft-Statutin e Asociacionit të Komunave të Kosovës tashmë e kanë marrë edhe zyrtarisht opozita parlamentare në Kosovë, ndërsa Radio Evropa e Lirë ka shkruar përmes burimeve të saj në Bruksel se ky dokument “është njëri nga draftet e fundit” por se gjatë rrugës “mund të pësojë disa ndryshime të vogla”.
Dokumenti tashmë është pranuar nga Qeveria e Kosovës, të cilët thonë se kanë dërguar komentet e tyre te ndërmjetësit evropianë, ndërsa është pranuar gjithashtu edhe nga pala serbët, të cilët siç i citon REL, thonë se “është në përputhje edhe me Kushtetutën e Serbisë dhe me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut me Kosovën”.
“Pjesa e draft-statutit të Asociacionit që u referohet kompetencave të tij, specifikon se ky organ ka të drejtë të miratojë vendime, rregullore, udhëzime dhe deklarata”.
“Gjithashtu ka kompetenca të plota mbi nivelin lokal, përkatësisht në fushat e zhvillimit ekonomik, planifikimit hapësinor, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes së identitetit kulturor dhe fetar”, shkruan Radio Evropa e Lirë.