Reka: Në mungesë të fuqisë së argumentit, Rusia po përdor ‘argumentin’ e fuqisë
Ish-ministri i integrimit Evropian, Blerim Reka, ka përkujtuar 12-vjetorin e mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky mëndin konfirmoi se shpallja e pavarësisë nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
“Nesër bëhen 12 vite nga mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë pro legalitetit juridiko-ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës. Me 22 korrik 2010, organi kryesor gjyqësor i OKB-së, e konfirmoi ate që dihej botërisht: se shpallja e pavarësisë, nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare. Konform Kartës së OKB-së dhe Statutit të GJND-s, kjo gjykatë ndërkombëtare interpreton ‘të drejtën e OKB-së’ (Kelsen) dhe asnjë shtet, po qoftë kjo edhe Rusia, nuk ka kompetencë interpetuese të dokumenteve të OKB-së”, ka shkruar Reka.
Pavarësisht këtij mendimi, ai ka vlerësuar se Rusia po vazhdon ta shkel të drejtën ndërkombëtare, duke bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Sipas tij, në mungesë të fuqisë së argumentit, Rusia po përdor “argumentin” e fuqisë.
“Mirëpo, Moska me veton e saj, shkel unilateralisht të drejtën ndërkombëtare, në një organizatë multilaterale, me mospërfilljen e këtij mendimi të institucionit më të lartë gjyqësor të organizatës botërore. Edhe pas mendimit të qartë të GJND-së, ajo vazhdon bllokimin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në OKB: në mungesë të fuqisë së argumentit, përdor ‘argumentin’ e fuqisë. Përkundër një interpretimi të tillë të pastër juridiko-ndërkombëtar të gjyqësorit të OKB-së, Kremlini vazhdon të shpikë të “drejtën” e vet “ndërkombëtare”, si maskë për fuqinë kundër normës së vërtetë juridiko- ndërkombëtare. Asnjë shtet anëtar i OKB-së, pra as Rusia nuk mund të jetë mbi ligjin ndërkombëtar. Pavarësia e Kosovës është çështje e mbyllur, e legaliteti i saj juridiko—ndërkombëtar i konfirmuar nga GJND-ja”, ka shkruar ai.